Genta Ismajli ka hedhur poshtë spekulimet e fundit nëpër media shqiptare se ajo ka pasur konflikt me Dafina Zeqiri gjatë mbrëmjes së spektaklit “Miss Universe Kosova 2011”.
Siç ka raportuar “Panorama plus”, vonesa e Gentës për të dalë në publik kur kënga e saj “Femrat shqiptare” kishte filluar në transmetim, ka ardhur pikërisht për shkak të mosmarrëveshjes që kanë pasur dy këngëtaret në prapaskenë. Por Genta thotë se këto janë shpifje që po bëhen në media nga njerëz të caktuar.
“Nuk është e vërtetë asgjë çfarë është thënë. Nuk kam pasur kurrfarë konflikti më askënd. Unë Dafinën e kam kolege siç i kam të gjitha të tjerat. Unë e kam duartrokitur kur ajo ka dalë në skenë dhe nuk kemi pasur kurrfarë mosmarrëveshje”, ka thënë Genta për gazetën “Zëri”.
Kam ardhur në përfundim se janë vet këngëtarët që po bëjnë thashetheme vetëm për të qenë nëpër media. Kam dëgjuar se këngëtarët i thërrasin gazetarët për të nxitur sensacione. Kurrë në jetën time nuk e kam thirrur një gazetarë për të shkruar diçka për mua. Pse duhet të kem konflikt me Dafinën? Atë natë ka kënduar edhe Leonora Jakupi, dhe për mua të gjitha janë njësoj”, ka shtuar Genta.
Sipas këngëtares kosovare, tezja e saj, e cila u raportua se kishte thënë se “është dashur të jetë vetëm Genta dhe gjithë spektakli të shndrisë vetëm me praninë e saj”, nuk ka qenë fare e pranishme. |